Author Topic: Njerez te shquar  (Read 1400 times)

0 Members and 2 Guests are viewing this topic.

Iliria

  • Guest
Njerez te shquar
« Reply #1 on: December 01, 2008, 03:45:58 AM »
Enigma e Shekspirit
Nga Jorge Luis Borges
Është e njohur botërisht që Shekspiri kishte një dashuri të thellë për anglishten, ndoshta e vetmja ndër gjuhët perëndimore që mund të quhet një regjistër i dyfishtë, duke u nisur nga fjalori i pasur që mbart.




Në anglisht fjalët e përditshme, idetë, shprehjet, gjuha e një të pagdhenduri, fëmije, detari apo fshatari, zakonisht e kanë zanafillën nga saksonishtja, ndërsa fjalori intelektual i të njëjtave fjalë rrjedh nga latinishtja.




Këto fjalë nuk përbëjnë kurrë sinonime absolute të njëra-tjetrës, por shoqërohen gjithmonë nga një dallueshmëri e lehtë. Fjala i “errët” e thënë saksonisht “dark”, merr një kuptim të ndryshëm nga fjala me prejardhje latine “obscure”; “vëllazëri” merr kuptim të ndryshëm kur përdoret fjala “brotherhood” në krahasim me rastin kur përdoret fjala “fraternity”.

Një gjë kjo, që në poetikë varet jo vetëm nga rrethanat dhe nga kuptimi, por edhe nga karakteristikat e atmosferës në të cilën përdoren. Një shembull është fjala “i përveçëm” që në latinisht thuhet “unique”, në gjuhën saksone thuhet “single”.




Shekspiri e ndjente këtë dhe mund të thuhet që kjo tërheqje e jona kundrejt tij varet nga loja e ndërsjellë midis fjalëve latine dhe saksone. Të marrim çastin kur Makbethi ndërsa vështron dorën e vet të gjakosur, mendon se ajo mund të njollosë me ngjyrë të purpurt detet e pafund, duke shndërruar kaltërsinë e tyre në një masë të kuqe e të vetme dhe thotë:




Do mundet gjithë oqeani i madh ta lajë këtë gjak nga dora ime? Oh jo, kjo dora ime më parë detet e pafund fort do t’i njollosë, e kaltërsinë në të kuqe do ta kthejë.




Në rreshtin e tretë përdor fjalë latine të përzgjedhura, të gjata e kumbuese si "multitudinous", "incarnadine", ndërsa parapëlqen fjalët e shkurtra saksone "green on red" në rreshtin më pas.

Bernard Show i shkruante kështu Frank Harrisit në një letër: “Ashtu si Shekspiri edhe unë kuptoj çdo gjë e çdokënd; dhe ashtu si Shekspiri unë jam askushi dhe asgjëja”.

Pikërisht këtu mbërrijmë tek enigma e vërtetë shekspiriane: për ne ai është një nga njerëzit më të famshëm të periudhës në të cilën jetoi, por sigurisht nuk qe kështu për bashkëkohësit e tij. Përveç një mirënjohjeje të dykuptimshme për sonetet e tij të ëmbla, duket se për bashkëkohësit e tij Shekspiri nuk ishte shumë i famshëm. Nga njëra anë kjo mund të shpjegohet me faktin që Shekspiri, përveç soneteve dhe poemave të rastësishme si “Feniksi dhe breshka” e “Shtegtimi i të apasionuarit”, ia kushtoi veten në radhë të parë zhanrit të dramës.

Në çdo epokë ka një zhanër të caktuar letrar që mban vendin e parë. Sot për shembull, autorë që nuk kanë shkruar ende romane pyeten se kur do ta shkruajnë një të tillë. Në epokën e Shekspirit puna letrare më e shkëlqyer ishte poema e gjatë epike, e cila vazhdoi të ishte rryma sunduese gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë. Këtë na e sjell edhe shembulli i Volterit, i fundmi autor që vazhdoi të shkruajë epika, pa të cilat nuk do të ishte konsideruar njeriu mishërues i letërsisë nga bashkëkohësit e tij.




Për epokën tonë mund të shqyrtojmë rastin e kinemasë. Kur mendojmë për kinemanë, shumica jonë mendon për aktorët ose regjisorët, por nuk mendon për skenaristët. Personalisht kujtoj mirë filmat “The Dragnet”, “Underworld”, “Specter of the Rose” – filmi i fundit i regjisorit Thomas Browne, por vetëm pas vdekjes para pak kohësh të Ben Hecht-it unë u kujtova se ky kishte qenë skenaristi i këtyre filmave, që kisha parë dhe vlerësuar kaq herë.




Diçka e ngjashme ndodhi edhe me pjesët teatrale në kohën e Shekspirit. Pjesët teatrale i përkisnin kompanive të aktrimit dhe jo autorëve të tyre. Çdo herë që ata vinin pjesët në skenë, në to shtohej diçka e re e përshtatur me rrethanat në të cilat luhej pjesa.

Njerëzit qeshën njëherë me Ben Johnson-in kur ai publikoi pjesët e tij teatrale plot solemnitet duke i quajtur Vepra. Njerëzit pyetën se ç’lloj veprash ishin këto. Për ta bëhej fjalë thjesht për tragjedi ose komedi. Vepra për ta mund të quheshin poemat lirike, epike apo elegjitë, por kurrsesi pjesët teatrale. Nga kjo pikëpamje duket e natyrshme që bashkëkohësit të mos e admironin Shekspirin. Ai thjesht po shkruante për aktorët.





Kasti i Komedisë së Gabimeve gjatë provave




Na mbetet një tjetër mister. Përse Shekspiri, pasi shiti teatrin e tij, u kthye në vendlindje dhe harroi veprat që sot janë një nga lavditë e njerëzimit? Për të, botimi nuk nënkuptonte fjalë të dërguara në shtyp. Shekspiri nuk shkroi për të qenë i lexuar por për t’u vënë në skenë. Pjesët vazhdonin të viheshin në skenë dhe kjo i mjaftonte atij. Një tjetër shpjegim me natyrë psikologjike është se Shekspiri kishte nevojë për nxitjen e menjëhershme që të jep teatri. Prandaj, kur ai shkroi Hamletin ose Makbethin, ia përshtati fjalët aktorëve që do vinin në skenë pjesët; njëherë dikush ka thënë: kur një personazh këndon në veprat e Shekspirit, kjo i detyrohet faktit se dikur një aktor i caktuar pati ditur të luante në violinë ose kishte pasur një zë të bukur. Shekspiri kishte nevojë për këtë nxitje që arrinte nga rrethanat konkrete në të cilat luhej pjesa. Goethe do të thoshte më vonë se çdo lloj poetike është poetikë rrethanore ose me fjalë të tjera e diktuar nga rrethanat. Ja pra pse Shekspiri, i udhëhequr nga aktorët dhe kërkesat e skenës, nuk ndjente nevojën të shkruante.




Për mendimin tim ky është shpjegimi që i afrohet më shumë së vërtetës. Shekspiri, perëndia e fjalëve, arriti të bindej se letërsia e shkruar është e pakuptimtë dhe as që kërkoi fjalë për ta shprehur këtë bindje. Kjo duket si diçka mbinjerëzore.

Cila qe filozofia e Shekspirit? Bernard Show u përpoq ta zbërthente këtë duke analizuar maksimat (shprehjet) tejet të përhapura nëpërmjet punës së tij e që thonë se jeta në thelb është onirike (dalldisëse), e gënjeshtërt. Mund të përmendim shprehjet: “Ne jemi lënda përbërëse e ëndrrave” ose “jeta është diçka e treguar nga një idiot, plot tinguj e vrull por e pakuptimtë” ose akoma para kësaj, kur krahason çdo njeri me një aktor, lojë kjo e dykuptimtë, pasi dhe mbreti Makbeth që shqipton këto fjalë është vetë aktor, një aktor i varfër që “krekoset e trazohet për një orë që del në skenë e më pas s’i mbetet më asgjë”.

Gjithsesi ne mund të besojmë se kjo nuk i përgjigjet me të vërtetë bindjeve të Shekspirit, por thjesht gjendjes shpirtërore të personazheve interpretuese në pjesët e tij në një moment të caktuar. Për ta thënë ndryshe, jeta, për Shekspirin mund të mos jetë një ëndërr e keqe e pakuptimtë, po kështu mund ta ketë ndjerë Makbethi, kur pa se zana dhe shtriga po e mashtronin.

Më pas, vepra e Shekspirit vazhdoi të pasurohej nga breza lexuesish të tij, mes të cilëve mund të përmendim Coleridge, Hazlitt, Goethe, Heine, Bradley dhe Hugo. Padyshim që edhe lexuesit e ardhshëm do ta lexojnë veprën e Shekspirit sipas këndvështrimeve të tyre. Ndoshta ky është një nga përkufizimet e mundshme të veprës së një gjeniu. Libri i një gjeniu mund të lexohet nga breza të ndryshëm njerëzish në mënyra shumë ose pak të ndryshme nga varianti fillestar. Kështu ndodhi edhe me biblën. Dikush e ka krahasuar biblën me një vegël muzikore që ka vazhduar të akordohet pafundësisht. Në mund ta lexojmë veprën e Shekspirit sot, por nuk mund ta përfytyrojmë se si do të lexohet pas një, dhjetë apo qindra shekujsh.

Për ne, vepra e Shekspirit është virtualisht e pafund. Enigma e Shekspirit është vetëm një pjesë e enigmës “krijimtari artistike”, e cila nga ana e saj është vetëm një copëz e një enigme tjetër: gjithësisë.




Përktheu nga anglishtja: Elona Palloshi